Kurrë nuk është tepër vonë për të filluar me ushtrimet në palestër

Cila është mënyra më e mirë që të humbni sasinë e tepërt të dhjamit të grumbulluar? Mënyra më e mirë është ajo në të cilën do të ndieni kënaqësi dhe ajo me të cilën do të merreni më së shpeshti.
Përkundër mendimit të popullarizuar, ushtrimet e ngadalshme dhe të gjata, nuk shpenzojnë më tepër kalori se ushtrimet e shpejta dhe intensive. Çështja kryesore dhe e rëndësishme është se sa kalori keni shpenzuar, e jo, në ç’mënyrë e keni bërë atë.
Edhe pse për zvogëlimin e kilogramëve në rend të parë përmendet treningu aerob, treningu me ngarkesë (pesha) ka rëndësi të madhe në programin e zvogëlimit të kilogramëve, sepse rritja e masës muskulore rritë aftësinë e organizmit në djegien e yndyrave. Indi muskulor e shpejton metabolizmin dhe harxhon 25 herë më shumë kalori se sa indi dhjamor.
Për rezultatet më të mira preferohet të kombinohet aktiviteti i cili shpejton punën e zemrës me atë që forcon muskujt kryesor të trupit, edhe kjo së paku tri herë brenda javës.
Ushqimi si ‘karburant’
A kemi nevojë për më tepër proteine apo karbohidrate? Kjo është pyetje të cilën shumë shpesh e bëjnë “ushtruesit e rinj”. Shumica e të rriturve marrin proteinat e mjaftuara nëse ushqehen në mënyrë të balancuar. Rregulla më e mirë është që proteinat (mishi, prodhimet e qumështit, soja, etj.) t’i konsumoni dy herë në ditë – një njësi e servimit: 60 – 90 gr. mish, 30 gr peshk, një gotë qumësht ose 30-50 gr djathë.
Pemë dhe perime mund të hani katër e më tepër herë brenda ditës. Sa i përket karbohidrateve, përparësi kanë të gjitha drithërat, orizi dhe buka integrale. Pilulat dhe tabletat magjike nuk do t’i djegin yndyrat. Vetëm muskujt aktiv mund të ta vëjnë në lëvizje shkrirjen e yndyrave. Çdo gjë që ndërmerrni për t’u dobësuar duhet të jetë e përhershme. Ju pyeteni – a do t’i përdori ato tableta tërë jetën? Nëse përgjigjja është jo, atëherë kurseni paratë dhe më mirë përshtatni ushqimin e organizmit tuaj dhe, lëvizni në drejtim të drejtë.
Mbajeni në mend, tabletat magjike nuk ekzistojnë, sepse po të ekzistonin tani më nuk do të ekzistonte as problemi i trashësisë.

Mendoni për etjen
Kur filloni të ushtroni duhet të filloni të kujdeseni edhe për humbjen e ujit nga organizmi. Edhe dehidrimi i lehtë mund të çrregullojë aftësinë tuaj që të ushtroni me intensitetin më të lartë të mundur. Për të qëndruar në baraspeshë të duhur, duhet të pini për aq sa jini të etur edhe më tepër se aq. Kjo do të thotë se duhet pihet para, gjatë dhe pas ushtrimeve. Uji i thjeshtë është krejt ajo që është e nevojshme nëse ushtroni më pak se një orë.
Ndërsa, nëse ushtroni më tepër dhe nëse djersiteni më shumë, keni nevojë për “karburant” plotësues. Me konsumimin e ujit në organizëm, kompensohet volumeni i humbjes së lëngjeve, por jo edhe i elektroliteve. Pijet izotonike, përveç ujit përmbajnë në trup elektrolitet e nevojshme të domosdoshme për rehidrimin e rregullt dhe kanë resorbimin më të shpejtë nga sistemi i tretjes.
Pa dhembje nuk ka rezultat
Është fat i mirë që kjo dhe fjali të ngjashme, kohët e fundit, gjithnjë e më pak mund të dëgjohen. Fanatikët e fitnesit dikur kanë besuar se ushtrimi intensiv duhet të sjell deri te dhembja e muskujve. Shkencëtarët e tanishëm e dinë se kjo nuk është e vërtetë.
Dhembjet e lehta janë normale gjatë shtrëngimeve, kontraksioneve të muskujve me rastin e ushtrimeve, mirëpo nëse dhimbja është e madhe, atëherë ndaluni dhe konstatoni se cila është arsyeja. Muskujt e lodhur kanë nevojë për pushim, e kjo është më mirë se sa t’i lëndoni ata dhe të shkaktoni komplikime serioze. Ndoshta, do të duhej që në këtë rast programin tuaj të ushtrimeve t’ia përshtatni përgatitjes tuaj momentale fizike. Mos e teproni me ushtrime, sepse mund të shkaktoni komplikime negative. Gjëja më e mirë do të ishte të konsultoheni me trajnerin profesionist, i cili do t’ua hartojë programin e ushtrimeve dedikuar aftësive të përgjithshme tuaja fizike.
Ushtrimet kanë përparësitë e veta, pa marrë parasysh vitet dhe përgatitjen fizike, ndërsa nuk duhet as të përmendni se ushtrimet zvogëlojnë oreksin. Me aktivitetin fizik u ofroni fëmijëve tuaj shembull të shkëlqyer se si duhet të udhëhiqni jetën e shëndoshë, e cila ju ndihmon që të ballafaqoheni me stresin e përditshmërisë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *